Trajneri i Dritës e pranon: Ballkani fitoi me meritë

  • 04 March 2020 - 15:51
Trajneri i Dritës e pranon: Ballkani fitoi me meritë

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, e ka pranuar se Ballkani e mori fitoren në derbin e xhiros së 21-të me meritë, pasi që e dominoi pjesën e dytë. Ai shtoi se tani skuadra e tij duhet ta zhvendosë vëmendjen te derbi i fundjavës, kur gjilanasit do të përballen me Prishtinën.

Drita e humbi vendin e dytë në tabelën e Ipko Superligës së Kosovës, e mund ta bjerë edhe në pozitën e tretë varësisht nga rezultati i Prishtinës sot kundër Ferizajt, shkaku i disfatës me rezultat 2:0 kundër Ballkanit.

Ndeshja që u zhvillua mes Ballkanit dhe Dritës në stadiumin e qytetit në Suharekë i përballi mes vete dy skuadrat që synojnë ta marrin titullin e kampionit në fund të sezonit. Mirëpo, nga ky duel doli triumfues Ballkani i Ismet Munishit, përmes golave të shënuar nga Blend Baftiu dhe Edvin Kuç.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, e pranoi në intervistën e dhënë pas ndeshjes se Ballkani e meritoi këtë fitore.

“Pjesa e dytë e ndeshjes u dominua nga Ballkani, që fitoi me plot meritë. Ne duhet ta harrojmë sa më shpejt të jetë e mundur këtë humbje dhe të përqendrohemi te ndeshja e radhës kundër Prishtinës”, ka thënë Nuhiu.

Drita do të përballet me Prishtinën këtë fundjavë, në një ndeshje ku do të shpresojë t’i konfirmojë synimet për titull me një fitore të madhe.

(Kosova Sot Online)