Prishtina e mund Ferizajn dhe e vazhdon presionin ndaj Ballkanit

  • 04 March 2020 - 19:15
Prishtina e mund Ferizajn dhe e vazhdon presionin ndaj Ballkanit

Prishtina e ka mundur 3:2 Ferizajn të mërkurën mbrëma, duke e rikthyer te fitorja dhe duke e ruajtur hapin me Ballkanin në një luftë të nxehtë për titull në Ipko Superligë këtë sezon.

Ahmed Januzi me dy gola dhe Oto John me një i ndihmuan bardhekaltërve t’i fitojë tri pikë të plota në një mbrëmje me shi në stadiumin Fadil Vokrri në kryeqytet, ku Ferizaj për pak sa nuk shkaktoj tronditje por dy golat e vonshme nuk i mjaftuan për ta arritur këtë.

Për Ferizajn, kjo disfatë nënkupton një hap tjetër mbrapa në përpjekje për të mbijetuar në Superligë, pasi tani ferizajasit kanë 22 pikë në vendin e 10-të, tri më pak se se vendi i tetë, Flamurtari, i cili megjithatë e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Klubi nga kryeqyteti po vinte në këtë takim nga një barazim pa gola me liderin Ballkanin në fundjavë, pas një loje zhgënjyese.

Januzi i kaloi bardhekaltrit në epërsi në minutën e fundit të pjesës së parë, duke u treguar i saktë nga penalltia.

Vetëm pesë minuta brenda pjesës së dytë, Januzi shënoi përsëri duke e dyfishuar epërsinë e Prishtinës, falë një asisti nga Hila.

John i dha goditjen përfundimtare vizitorëve duke shënuar për 3:0 në portën boshe, para se Albin Krasniqi të shënonte për Ferizajn 12 minuta më vonë.

Prishtinës i humbi përqendrimi në fund dhe pranoi edhe një gol, kur Taulant Dajaku shënoi nga topi i kthyer pas penalltisë që ia kishte mbrojtur Visar Bekaj.

Tashmë ishte tepër vonë për Ferizajn për të bërë një rikthim tronditës. 

(Kosova Sot Online)