Arrestohet legjenda e futbollit Ronaldinho, hyri në Paraguai me pasaportë të falsifikuar

  • 05 March 2020 - 08:28
Arrestohet  legjenda e futbollit Ronaldinho, hyri në Paraguai me pasaportë të falsifikuar

Legjenda braziliane Ronaldinho është arrestuar në Paraguai, për shkak se dyshohet se ka përdorur dokumente të rreme për të hyrë në vendin e Amerikës Jugore.

39-vjeçari, i cili e fitoi Kupën e Botës me Brazilin në vitin 2002, u kap në kazinonë “Resort Yacht & Golf Club Paraguayo” bashkë më vëllain e vet, Roberto, të mërkurën në mbrëmje, ka njoftuar Ministria e Brendshme e Paraguait.

Sipas gazetës paraguaiane “La Nacion”, në hotelin ku po qëndronin ata janë gjetur pasaporte që mbanin emrat e Ronaldinhos dhe Robertos me shtetësi paraguaiane.

Të dy vëllezërit janë duke u mbajtur në suitën e hotelit, ndërsa autoritetet paraguaiane pritet të dalin me një komunikatë mëngjesin e sotëm.

Policia paraguaiane tha në një komunikatë për media se Ronaldinho dhe vëllai i tij ishin ftuar në Paraguai nga pronari i kazinosë, Nelson Belotti.

Ronaldinho është momentalisht pa pasaportë braziliane, për shkak të një gjobe të marrë në vitin 2018.

(Kosova Sot Online )