Kosova me futbollistët më të rinj në Ligën C të Kombeve

  • 05 March 2020 - 14:43
Kosova me futbollistët më të rinj në Ligën C të Kombeve

Tifozët “Dardanë” kanë arsye të presin suksese nga Kombëtarja e Kosovës. Kjo për shkak se skuadra jonë shtetërore rezulton si më e reja për kah mosha e futbollistëve në dallim prej pesëmbëdhjetë shteteve tjera që do të garojnë në Ligën C të Ligës së Kombeve. “Dardanët” që luajnë bashkë tashmë qe një kohë të gjatë kanë moshë mesatare prej 24.5-vjeç.

Liga C e Ligës së Kombeve në edicionin e ri do t’i ketë 16 shtete që do të garojnë në katër grupe. Në secilin grup do të marrin pjesë nga katër skuadra. Pjesë e kësaj lige është edhe Kosova, e cila është ngritur nga Liga D në të cilën garojë me sukses së fundmi.

“Dardanët” do të marrin pjesë në njërin prej grupeve më vështira të kësaj lige. Kosova është pjesë e Grupit 3 bashkë me Greqinë, Slloveninë dhe Moldavinë. Kurse, në Grupin 1 bëjnë pjesë Mali i Zi, Qipro, Luksemburgu dhe Azerbajxhani. Gjeorgjia, Maqedonia, Estonia dhe Armenia janë në Grupin 2. Kurse, Shqipëria do të garojë në Grupin 4 me Bjellorusinë, Lituaninë dhe Kazakistanin.

Me paraqitjet e saj në edicionin e kaluar të Ligës së Kombeve, ku e fitoi njërin prej grupeve të Ligës D, e po ashtu në kualifikimet për “Euro 2020” Kosova ka fituar respekt të madh ndërkombëtar. Madje, ende është në garë për kualifikim në Evropian përmes Play-Off-it: Kosovë – Maqedoni dhe Gjeorgji – Bjellorusi.

Por, Kosova ka shpresë të madhe edhe për një të ardhme të mirë. Kjo falë moshës së re të futbollistëve të saj. Mosha mesatare e futbollistëve “Dardanë” aktualisht është 24.5-vjeç. Kjo e bën Kosovën skuadrën më të re për nga mosha krahasuar me pesëmbëdhjetë shtetet tjera të Ligës C.

Gjashtë skuadra tjera të kësaj lige kanë moshë mesatare prej mbi 26-vjeç. pesë të tjera kanë moshë mesatare mbi 27-vjeç, kurse tri të tjera janë edhe më të vjetra me moshë mesatare prej mbi 28-vjeç. 

Kjo është diçka fantastike për Kosovën, e cila tashmë qe një kohë luan me të njëjtit futbollistë, e të cilët do të kenë mundësi të luajnë edhe shumë gjatë së bashkë, gjë që ka mundësi të madhe të reflektojë me komponim të jashtëzakonshëm të skuadrës dhe në saje të saj të priten edhe sukseset.

(Kosova Sot Online)