Drenica e mund Flamurtarin në luftë direkte për mbijetesë, Vushtrria e Dukagjini ndahen me barazim dramatik

  • 05 March 2020 - 15:11
Drenica e mund Flamurtarin në luftë direkte për mbijetesë, Vushtrria e Dukagjini ndahen me barazim dramatik

Drenica e ka mundur 3:1 Flamurtarin në një luftë të drejtpërdrejt për mbijetesë në Ipko Superligë, duke e regjistruar fitoren e parë pas plot katër humbjeve radhazi. Ndërkohë, në duelin tjetër direkt për mbijetesë, Vushtrria bëri rikthim sensacional duke i shpëtuar humbjes pasi barazoi 3:3 në mënyrë dramatike me Dukagjinin.

Alban Shillova me dy gola dhe Hasan Hyseni me një u siguruan që Drenica të triumfojë ndaj kundërshtarit të drejtpërdrejt në betejën për mbijetesë të enjten në Skenderaj.

Vizitorët nga Prishtina ia arritën ta barazonin rezultatin fillimisht përmes Veton Kabashit, por nuk ishin në gjendje ta shmangnin humbjen e dytë në pesë ndeshjet e fundit.

Drenica tani ngjitet në pozitën e shtatë me 27 pikë, dy më shumë se Flamurtari në pozitën e nëntë, e cila dërgon në Ligën e Parë – apo kategorinë e dytë të futbollit kosovar.

Ndërkohë, Vushtrria i shpëtoi një humbjeje turpëruese në shtëpi duke shënuar në minutën e shtatë shtesë, për të barazuar 3:3 me skuadrën e fundit në Superligë, Dukagjinin.

Klubi nga Klina po fitonte 3:1 deri një çerek lojë para fundit, falë golave nga Marmullaku dhe Elezaj, por nuk ia doli ta ruajë epërsinë e dyfishtë duke u largua nga Vushtrria me një pikë të rrallë këtë sezon.

Salinas i kishte shënuar golin e parë për Vushtrrinë, ndërsa Sie dhe Bler Istrefi realizuan në minutat 76-të dhe 90+6 për t’ia shmangur humbjen skuadrës së tyre.

Kjo ishte pika e parë për Vushtrrinë pas tri ndeshjeve të humbura dhe bën që ajo t’i grumbullojë 16 sosh në pozitën e parafundit në Superligë, me pak gjasa për t’i shpëtuar rënies në Ligën e Parë.

Dukagjini ndërkohë, vazhdon të jetë i fundit në tabelë dhe tani mbledh 10 pikë, pothuajse pa asnjë gjasë për mbijetesë. 

(Kosova Sot Online)