Trajneri i Getafes ia kthen ashpër kritikat De Jongut

  • 06 March 2020 - 09:09
Trajneri i Getafes ia kthen ashpër kritikat De Jongut

Trajneri i Getafes, Jose Bordalas, iu ka kundërpërgjigjur mesfushorit të Barcelonës, Frenkie De Jong, lidhur me kritikat për stilin e lojës të Getafes, duke thënë se as ai s’është i interesuar të luajë si Barcelona.

Mediat spanjolle raportojnë se Getafe i përdori kritikat e Frenkie de Jongut si motivim për ta befasuar ish-klubin e mesfushorit, Ajaxin, në fazën e 1/16 të finales së Ligës së Evropës.

Por, Bordalas u përgjigj duke e kritikuar Barcelonën, që e mposhti Getafen me rezultat 2:1 kur dy ekipet u takuan në La Liga muajin e kaluar.

Spanjolli ka thënë se nuk dëshiron ta shohë skuadrën e tij të luajë si Barcelona, pasi që portieri i tyre Marc-Andre ter Stegen i bëri 69 pasime, lojtari i katërt me më së shumti pasime në lojë, gjatë asaj ndeshjeje të shkurtit.

“Kur ne luajtëm kundër Barcelonës, portieri i tyre i bëri 69 pasime. Unë nuk dua që portieri im t’i bëjë 69 pasime sepse do të thoshte se s’po bënim diçka mirë. Unë dëshiroj që skuadra ime të krijojë raste për të shënuar”, tha trajneri i Getafes në një intervistë të dhënë për Radio Marca.

Kritikat e De Jongut për stilin e lojës së Getafes erdhën pasi holandezi e pa ish-skuadrën e tij të pësojë humbje në ndeshjen e parë të fazës së 1/16 të finales së Ligës së Evropës.

“Ndeshja mes Getafes dhe Ajaxit ishte e dhimbshme për mua, veçanërisht irrituese. Getafe nuk luan për ta argëtuar publikun, mua më duken irrituese ndeshjet e tyre”, kishte thënë De Jong.

(Kosova Sot Online )