Mayweather tallet për meçin Fury – Joshua

  • 06 March 2020 - 11:10
Mayweather tallet për meçin Fury – Joshua

Floyd Mayweather i bëri tifozët të qeshin me refuzimin e tij për ta parashikuar fituesin e një meçi potencial mes Tyson Furyt dhe Anthony Joshuas, pasi që tha që ai nuk po paguhet për ta treguar fituesin.

Promotori Eddie Hearn ka thënë se është shumë afër arritjes së marrëveshjes për meçin unifikues në kategorinë e rëndë të boksit mes Anthony Joshua dhe Tyson Fury, për muajin dhjetor.

Dy boksierët britanikë i mbajnë të gjitha katër brezat në peshat e rënda, pasi Fury e rrahu Deontay Wilderin muajin e kaluar për ta fituar titullin në WBC.

Joshua, kampion në WBA, IBF dhe WBO, do të luftojë me Kubrat Pulev më 20 qershor.

Fury, ndërkohë, do të luftojë kundër Wilderit për herë të tretë këtë verë, pasi amerikani e aktivizoi klauzolën për rimeç, i cili do ta kompletojë trilogjinë mes tyre.

E përderisa shumë tifozë kanë filluar të mendojnë se çfarë do të ndodhë kur më në fund Fury dhe Joshua ta kenë mundësinë të përballen mes vete, amerikane Mayweather nuk është aq i interesuar ta japë parashikimin e tij.

“Anthony Joshua është një boksier i madh. Tyson Fury është një boksier i madh. Nuk ka rëndësi kush fiton, unë nuk po paguhem për ta parashikuar këtë dhe kjo nuk është puna ime”, ka thënë Mayweather.

“Por, ajo që është interesante për boksin është se ka boksierë të mëdhenj kudo në botë dhe gjithmonë është dikush që është i gatshëm të ta marrë vendin”.

“Do të dalë një boksier i kategorisë së peshave të rënda i cili nuk është nga Britania e Madhe dhe nuk është nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i cili do të bëjë shumë zhurmë. Mbajeni mend këtë, shkruajeni diku”.

(Kosova Sot Online )