Setien e mbron ndihmësin e vet, pas kritikave drejt lojtarëve të Barcelonës

  • 06 March 2020 - 12:08
Setien e mbron ndihmësin e vet, pas kritikave drejt lojtarëve të Barcelonës

Trajneri i Barcelonës, Quique Setien, thotë se është e turpshme që reagimet e ndihmësit të tij, Eder Sarabias, gjatë ndeshjes kundër Real Madridit në Santiago Bernabeu u publikuan dhe u komentuan aq shumë.

Barcelona e humbi El Clasicon e parë nën drejtimin e Quique Setien  javën e kaluar dhe njëkohësisht e humbi edhe vendin e liderit të La Ligës, pasi që u mposht me rezultat 2:0 nga Real Madridi, shkaku i golave të Vinicius Junior dhe Mariano Diaz.

Megjithatë, situata në Barcelonë u përkeqësua pas ndeshjes, pasi që kamerat televizive e kishin xhiruar Sarabian duke reaguar ashpër ndaj paraqitjeve të lojtarëve të Barcelonës nga stoli.

Sarabia i kishte kritikuar shumë lojtarë të Barcelonës dhe kishte sharë, mirëpo Setien mendon se ishte e turpshme që reagimet e ndihmësit të tij ndaj asaj që po ndodhte në fushë u bënë lajm dhe ishin në qendër të vëmendjes.

“Është pak e turpshme që ajo u bë lajm dhe kaloi në një dimension të atillë”, tha Setien, në një intervistë të dhënë për El Periodico.

“Fakti që mediat përdorin kamerat që vazhdimisht të ndjekin në stol është e turpshme. Kjo është diçka që s’duhet të ndodhë, është diçka që duhet të marrë fund”.

“Ne nuk mund ta kalojmë të gjithë ditën duke e mbuluar gojën me dorë teksa flasim. Unë nuk duhet të kem nevojë ta detyroj veten ta mbuloj gojën. Është një fatkeqësi që ndodhin gjëra të tilla”.

“Kjo më ka ndikuar shumë. Gjëja e parë për të cilën unë mendoj është klubi dhe imazhi i klubit. Ne duhet të kujdesemi për imazhin e klubit tonë”.

“Kjo është një temë që më shqetëson mua shumë. Është diçka që është shumë e rëndësishme për mua. Ju mund të na kritikoni nëse i bëjmë zëvendësimet e gabuara, nëse e kemi organizuar ekipin gabimisht, por jo për sjelljen tonë”.

“Ju duhet t’i kuptoni njerëzit dhe momentet. Jo të gjithë njerëzit janë të njëjtë. Eder është një fëmijë plot temperament, që për shumë gjëra është diçka fenomenale. Por, duhet të mësojë ta kontrollojë veten”.

“Këto situata po bëhen gjithnjë e më sporadike, por neve s’na pëlqejnë gjërat e tilla. Nuk ka asnjë justifikim që situata të tilla të shihen në stol”.

“Është një problem që Eder po tenton ta zgjidhë. Ai është një fëmijë i ri, një fëmijë impulsiv, i cili ka shumë energji. Por, ne jemi në stolin e një klubi që e përfaqësojmë dhe sjellja jonë duhet të jetë pa asnjë të metë”.

(Kosova Sot Online)