Icardi mund të largohet nga PSG-ja, ndihet i lënë anash nga Mbappe e Neymari

  • 06 March 2020 - 15:36
Icardi mund të largohet nga PSG-ja, ndihet i lënë anash nga Mbappe e Neymari

Revista franceze L’Equipe pretendon se Mauro Icardi e ka të vështirë të përshtatet me Neymarin dhe Kylian Mbappen në Paris Saint-Germain, duke bërë kështu që të ketë spekulime për një largim të mundshëm të tij në fund të sezonit.

I huazuari nga Interi i ka shënuar 20 gola dhe ka kontribuar edhe me katër asiste që kur u transferua në Paris Saint-Germain gjatë verës së kaluar. Klubi francez e ka opsionin për ta blerë ish-kapitenin e Interit në fund të sezonit.

Vetëm para pak javësh raportohej si e sigurt se PSG-ja do t’ia paguante shumën e kërkuar të parave Interit sapo të hapej afati kalimtar i verës, në mënyrë që Icardi t’i bashkohet në mënyrë permanente skuadrës në Paris.

Revista prestigjioze franceze L’Equipe së fundi ka zbuluar se marrëdhënia e Icardit me dy yjet e tjera të mëdha në Parc des Princes, Neymari dhe Mbappe, mund të bëjë që Icardi të mos vazhdojë më në kryeqytetin francez.

Megjithatë, e ardhmja e tij duket se nuk do të jetë as me zikaltrit, pasi që Juventusi është përfolur sërish për një ofertë të re për argjentinasin 27-vjeçar, pasi që bardhezinjtë janë duke e ndjekur nga afër situatën e argjentinasit.

L’Equipe shkruan se Icardi ndihet i lënë anash dhe beson se Neymari dhe Mbappe preferojnë të mos bashkëpunojnë me të në fushën e lojës dhe nuk ia pasojnë topin.

PSG-ja për momentin është në krye të tabelës së Ligue 1, është duke u përgatitur për finale në dy Kupat e Francës, përderisa humbi me rezultat 2:1 në ndeshjen e parë të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve kundër Borussia Dortmundit.

(Kosova Sot Online)