“Dardanët”: S’do t’i fyejmë lojtarët shqiptarë të Maqedonisë, por as s’do t’i duartrokasim

  • 09 March 2020 - 21:30
“Dardanët”: S’do t’i fyejmë lojtarët shqiptarë të Maqedonisë, por as s’do t’i duartrokasim

Ashtu si gjithmonë, edhe kësaj radhe ‘Dardanët’ do të tentojnë të jenë shembull për të gjithë kur Kombëtarja e Kosovës të zbresë në fushë për të kërkuar të shkruajë histori, duke u kualifikuar në Euro 2020.

Dardanët do të kenë punë me Maqedoninë, kombëtare në të cilën luajnë disa shqiptarë.

Sido që të jetë, ata as nuk do të fyhen, por as s’do të duartrokiten.

Kështu ka thënë Luli Berisha, lideri i Dardanëve, në një intervistë për ‘Sportmedia.mk’.

“Ne nuk do t’i fyejmë shqiptarët që luajnë për Maqedoninë, por ne nuk do t’i duartrokasim kur ata zbresin në fushë. Ju dëshirojmë humbje të këndshme”, ka deklaruar ai.

“Sigurisht, ne po përgatitemi për ndeshjen në Shkup. Ne kemi 2 mijë tifozë, aq sa FFK ka siguruar për këtë ndeshje historike”, shtoi ai.

Si qëndron situata, ndeshja mes Maqedonisë dhe Kosovës do të zhvillohet normalisht, por me përhapjen e vazhdueshme të koronavirusit, gjithçka mund të ndodhë deri në fund të marsit.

Ndeshja mes Maqedonisë Veriore dhe Kosovës do të luhet më 26 mars, në kuadër të gjysmëfinales së Ligës së Kombeve, ku Kosova do të kërkojë vetëm fitore, për të siguruar një vend fillimisht në finale të play-off dhe më pas të kërkojë të shkruajë historinë, duke u kualifikuar në Kampionatin Evropian, që gjithashtu është në pikëpyetje nëse do të zhvillohet apo jo për shkak të koronavirusit.


(Kosova Sot Online)