Haaland tregon pse i urren duelet me Van Dijkun

  • 10 March 2020 - 11:59
Haaland tregon pse i urren duelet me Van Dijkun

Ylli i Borussia Dortmundit, Erling Haaland, e ka përshkruar Virgil Van Dijkun si lojtar të mrekullueshëm dhe e ka sqaruar pse ai e kishte të vështirë të triumfonte në duelet me qendërmbrojtësin holandez të Liverpoolit në Ligën e Kampionëve.

Erling Haaland u përball me Virgil van Dijkun në dy raste gjatë fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve këtë sezon, gjatë kohës sa kishte qenë ende pjesë e Salzburgut, para transferimit të janarit në Dortmund.

Sulmuesi norvegjez shënoi në disfatën me rezultat 4:3 në Anfield, mirëpo nuk pati shumë arsye për të festuar kur Liverpooli mori fitore me rezultat 2:0 në Red Bull Arena, duke bërë që RB Salzburgu të eliminohet nga Liga e Kampionëve dhe të bjerë në Ligën e Evropës.

Haaland i ka shënuar tetë gola në gjashtë paraqitjet e tij në Ligën e Kampionëve, duke e marrë vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha të Evropës – si Manchester Unitedi e Real Madridi – para se të vendoste të transferohej në Dortmund.

Tani, norvegjezi ka lënë të kuptohet se do të dëshironte t’i shmangej shortit kundër Liverpoolit, nëse të dyja klubet arrijnë t’i mposhtin kundërshtaret dhe të kualifikohen në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

“Me çfarë lloj mbrojtësi e urrej të përballem? Van Dijkun, ai është shumë i mirë. Është i fuqishëm, i shpejtë, i posedon të gjithë cilësitë e mira. Ai është një lojtar i mrekullueshëm”, ka thënë Haaland.

19-vjeçari i ka shënuar 12 gola në dhjetë paraqitjet e tij për Dortmundin, duke bërë që t’i ketë shënuar 40 gola në të gjithë garat vetëm gjatë këtij sezoni 2019/20. 

(Kosova Sot Online)