Edhe ndeshja e mesjavës e Man Unitedit luhet pa tifozë

  • 10 March 2020 - 15:15
Edhe ndeshja e mesjavës e Man Unitedit luhet pa tifozë

Manchester Unitedi është bërë klubi i fundit të cilit iu është ndikuar agjenda shkaku i koronavirusit, pasi përballja e 1/8 të finales së Ligës së Evropës kundër LASK Linz do të luhet pa praninë e tifozëve.

Linz e mori vendimin për ta pritur Manchester Unitedin të enjten në një stadium të zbrazët për ndeshjen e Ligës së Evropës për shkak të këshillave nga qeveria austriake lidhur me përhapjen e koronavirusit.

Ministri i Shëndetësisë i Austrisë, Rudolf Anschobar, tha se të gjithë eventet me mbi 500 njerëz, ndërsa mbi 100 në ambientet e mbyllura, do të anulohen deri në gjysmë të prillit.

Megjithatë, Linz, stadiumi i së cilit ka kapacitet prej 21 mijë ulësesh, vetëm ka bërë të ditur se ndeshja do të zhvillohet pa tifozë.

Manchester Unitedi ia shiti 900 biletat që i takonin tifozëve të vet, por tani ndeshja, si shumë tjera edhe në Ligën e Kampionëve, është vendosur të zhvillohet prapa dyerve të mbyllura.

Shumë evente sportive në Evropë janë ndikuar nga përhapja e virusit Covid-19 nëpër kontinentin evropian. Një numër i madh i ndeshjeve është vendosur të luhen pa tifozë, ndërsa në raste të tjera, si në Serie A, kampionati është suspenduar. 

(Kosova Sot Online)