Shtyhet edhe dueli Man City – Arsenal, shkaku i koronavirusit

  • 11 March 2020 - 08:30
Shtyhet edhe dueli Man City – Arsenal, shkaku i koronavirusit

Premierliga ka vendosur ta shtyjë përballjen e së mërkurës mes Manchester Cityt dhe Arsenalit shkaku i shqetësimeve për përhapjen e koronavirusit.

Dueli mes Manchester Cityt dhe Arsenali ishte shtyrë fillimisht për shkak ndeshjes së Manchester Cityt ne Carabao Cup, ndërsa tani është bërë ndeshja e fundit që është shtyrë në Evropë shkaku i koronavirusit.

Vendimi për ta shtyrë ndeshjen u mor pasi u zbulua se stafi i Arsenalit kishte qenë në kontakt me pronarin e Olympiakos dhe Nottingham Forestit, Evangelos Marinakis, i cili është diagnostikuar me koronavirus.

“Ndeshja e sotshme e Premierligës mes Manchester Cityt dhe Arsenalit është shtyrë si masë parandaluese, pas lajmërimit të së martës se Evangelos Marinakis është infektuar nga Covid-19”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Premierliga.

“Para 13 ditëve, Olympiakos luajti kundër Arsenalit në Emirates Stadium në Ligën e Evropës dhe Zotëri Marinakis u takua me anëtarë të skuadrës dhe stafin e Arsenalin”.

“Pas këshillave mjekësore, Arsenali dhe Manchester City e konsiderojnë të nevojshme ta shtyjnë këtë ndeshje që ishte paraparë të luhet këtë mbrëmje, e mërkurë, 11 mars, në mënyrë që të ketë kohë të vlerësohet situata plotësisht”.

“Ne e kuptojmë se kjo do të shkaktojë telashe dhe shpenzime për tifozët që planifikonin ta përcjellin nga afër ndeshjen, por Arsenali, Manchester City dhe Premierliga janë pajtuar që lajmi i fundit për Zotëri Marinakisin do të thotë se s’kemi alternativë tjetër”.

“Të gjitha masat e nevojshme janë duke u ndërmarrë dhe Premierliga për momentin nuk planifikon ta shtyjë asnjë ndeshje tjetër”.

(Kosova Sot Online )