Kapiteni i Maqedonisë kërkon shtyrjen e ndeshjes kundër Kosovës

  • 11 March 2020 - 08:37
Kapiteni i Maqedonisë kërkon shtyrjen e ndeshjes kundër Kosovës

Kapiteni i Maqedonisë së Veriut, Goran Pandev, ka kërkuar që ndeshja e 26 marsit kundër Kosovës të shtyhet për shkak të shqetësimeve nga koronavirusi, e jo vetëm të luhet pa tifozë në stadium.

Dje u mor vendimi që gjysmëfinalja e play-offs për kualifikim në Kampionatin Evropian 2020, mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, të zhvillohet pa tifozë të pranishëm në “Todor Proeski”.

Dje u raportua se Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut do ta kërkojë nga UEFA shtyrjen e ndeshjes, në mënyrë që të mos e humbë epërsinë që e kishte si vendas me shpresën se do të kishte përkrahje të fuqishme nga tifozët në Shkup.

Kjo shtyrje kërkohet për shkak se futbollistët maqedonas si Pandev, Elmas dhe Nestorovski (luajnë në Itali) pas ardhjes në Shkup duhet të qëndrojnë dy javë në karantinë dhe pa stërvitje do ta prisnin ndeshjen me Kosovën.

Në Itali luajnë edhe futbollistët e Kosovës si Amir Rrahmani e Samir Ujkani.

 “Kualifikimi në Kampionatin Evropian me Maqedoninë për mua do të kishte rëndësi më të madhe sesa të gjithë titujt e fituar. Ne ëndërrojmë ta kemi një fotografi në një stadium të mbushur me tifozë kuqeverdhë, që do ta në i jepte fuqinë dhe motivin ta sjellim atë që i ka munguar futbollit tonë në 20 vjetët e fundit”, shkroi Pandev.

“Jepnani mundësinë ta bëjmë një spektakël të vërtetë. Jepnani mundësinë që bashkë me tifozët tanë të shpresojmë në fitore dhe të shkojmë drejt Kampionatit Evropian

“Por, shëndeti është më i rëndësishmi dhe ne lutemi gjithmonë për këtë. Por, jepnani mundësinë ta realizojmë ëndrrën dhe të qeshim si fëmijë”.

“Për të mirën e të gjithëve, shtyjeni ndeshjen.  Dhe për të mirën e shëndetit dhe drejtësisë dhe sportit…”.

(Kosova Sot Online )