Lojtarët kërkojnë të ndalen përkohësisht ndeshjet e La Ligës

  • 11 March 2020 - 09:39
Lojtarët kërkojnë të ndalen përkohësisht ndeshjet e La Ligës

Të martën në mëngjes, klubet nga dy ligat e kategorive të para të Spanjës – La Liga Santander dhe La Liga SmartBank – mësuan se të gjitha ndeshjet e dy javëve të ardhshme do të zhvillohen prapa dyerve të mbyllura.

Përhapja e koronavirusit ka pasur ndikim të madh edhe në botën e futbollit, përfshirë këtu Italinë ku është suspenduar liga deri më 3 prill, ndërsa shumë ndeshje në Evropë do të zhvillohen pa tifozë.

Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, e ka konfirmuar se ata do ta suspendojnë ligën nëse qeveria spanjolle ua kërkon një gjë të tillë.

Megjithatë, jo të gjithë në Spanjë janë të lumtur me vendimin që ndeshjet të zhvillohen pa praninë e tifozëve në stadium, veçanërisht jo lojtarët të cilët s’duan të luajnë pa e pasur përkrahjen në stadium.

Shoqata e Futbollistëve Spanjollë (AFE) lëshoi deklaratë menjëherë pasi u bë publik vendimi i La Ligës, duke kërkuar që ndeshjet të suspendohen pasi që mungesa e tifozëve në stadium nuk do të thotë që s’ka rrezik nga koronavirusi.

“Ne e kuptojmë nevojën për t’iu shmangur turmave të mëdha për shkak të rritjes së rrezikut që sjellin grumbullimet e tilla”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga AFE.

“Po flasim për një rrezik që nuk shmanget me mungesën e tifozëve në ndeshje. Për më tepër, zhvillimi i ndeshjeve prapa dyerve të mbyllura për derisa javë e shtrembëron kuptimin e garës”.

Denis Suarez i Celta Vigos e përkrahu këtë deklaratë të AFE-s përmes një postimi të tij në llogaritë zyrtare në rrjetet sociale.

“Reflektim: ne luajmë për tifozët. A ka ndonjë kuptim kjo pa ta?”

(Kosova Sot Online )