Mourinho: Tottenhami s’ka nevojë ta rindërtojë skuadrën

  • 11 March 2020 - 12:57
Mourinho: Tottenhami s’ka nevojë ta rindërtojë skuadrën

Trajneri i Tottenhamit, Jose Mourinho, insiston se ai nuk pret që të ketë nevojë ta rindërtojë skuadrën gjatë afatit kalimtar të verës, pasi që beson se klubi do të jetë shumë më mirë sezonin e ardhshëm, kur të jetë rikuperuar nga lëndimet e shumta.

Tottenhami po kalon nëpër një situatë të vështirë për momentin dhe ecuria prej gjashtë ndeshjeve të zhvilluara pa marrë fitore bëri që klubi londinez të eliminohet dje nga Liga e Kampionëve.

Dy gola të shënuara nga Marcel Sabitzer, të ndihmuara nga gabimet e portierit Hugo Lloris, ia dhanë Leipzigut epërsinë në ndeshjen kthyese të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve mes Tottenhamit dhe Leipzigut.

Emil Forsberg e shënoi golin e fundit në këtë ndeshje, duke bërë që Leipzigu të kualifikohet në çerekfinale të Ligës së Kampionëve me rezultat të përgjithshëm 4:0.

“Nëse jam kritik për disa nga lojtarët e mi, unë e mbaj për vete. Ata tentuan të ma japin atë që mund ta japin”, ka thënë Mourinho për BT Sport.

“Ne bëmë gabime, gabime që i kemi analizuar në ndeshjet paraprake. Unë nuk i fajësoj kurrë lojtarët me disa vështirësi. Është e vështirë t’i përballosh lojtarët që nuk mund ta shprehin potencialin e vet, jo me ata që janë në limitin e vet. Unë jam në një anë me lojtarët”.

“Nuk është askush fajtor, kemi shumë lëndime. Kjo është historia e këtij sezoni. Është e pandalshme. Shikojeni stolin tonë sonte. Është shumë e vështirë, nuk mund t’i fajësoj lojtarët”.

“Nuk mendoj se do të kemi nevojë për të rindërtim të skuadrës këtë verë, përveç nëse do të ndodhë diçka gjatë Kampionatit Evropian”.

(Kosova Sot Online)