Driton Kuka tregon se cfarë masave duhet ndërmarrë ndaj koronavirusit

  • 11 March 2020 - 13:14
Driton Kuka tregon se cfarë masave duhet ndërmarrë ndaj koronavirusit

Trajneri i famshëm i xhudos, Driton Kuka, u ka bërë thirrje autoriteteve përgjegjëse në Kosovë t’i ndërmarrin të gjitha masat e mundshme parandaluese ndaj koronavirusit para se të shfaqet rasti i parë.

Të martën u mor vendimi për suspendimin e turneut të parë në Kosovë shkaku i përhapjes së koronavirusit. Bëhet fjalë për turneun e basketbollit për gjeneratat e reja, turne i organizuar nga FIBA, ku do të merrnin pjesë edhe disa ekipe kombëtare të tjera.

Megjithatë, garat e tjera në Kosovë po vazhdojnë si zakonisht, pasi që ende nuk është identifikuar asnjë rast i prekur nga koronavirusi – për dallim nga vendet e tjera evropiane, ku garat janë anuluar e shumë evente është vendosur të zhvillohen pa praninë e tifozëve.

“Federata Botërore dhe Evropiane e xhudos kanë suspenduar çdo aktivitet deri në fillim të majit!
Masë kjo e marrë për t’u mbrojtur nga infeksioni i virusit”, ka shkruar Kuka në llogarinë e tij në Facebook. 

“Në kontakt me miq nga mbarë bota, sidomos me sportistë e trajnerë nga Italia, të gjithë ata për ne kanë një porosi, të mos e nënçmojmë virusin Corona!”

“Minimumi që do duhej që Kosova në ketë moment ta ndërmarrë është që çdo njeri që hyn në Kosovë të vetë karantinohet për dy javë duke ndjekur udhëzimet e duhura si të sillet gjatë kësaj kohe!”

“Kosova deri tash për fat të mirë s’ka ende raste por pse të mos mbesim të tillë edhe më tutje!
Shqipëria u mobilizua pas rasteve të shfaqura, e ne të mobilizohemi para se të ndodhin!”

(Kosova Sot Online)