Koronavirusi anulon miqësoren Kosovë-Shqipëri

  • 11 March 2020 - 14:01
Koronavirusi anulon miqësoren Kosovë-Shqipëri

Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur përmes një njoftimi se është anuluar kampi i ekipit kombëtar U19 të Kosovës në Shqipëri, ku ishte planifikuar të luhen ndeshje miqësore me Shqipërinë.

Lojtarët e ekipit U19 të Kosovës ishte planifikuar të grumbullohen në Shqipëri në datat 24-31 mars, ndërsa ndeshjet ishin planifikuar të zhvilloheshin më 29 deri më 31 mars.

Megjithatë, shkaku i përhapjes së koronavirusit në Shqipëri, përderisa në Kosovë nuk është paraqitur ende asnjë rast, ka bërë që ky grumbullim të anulohet.

“Anulohet grumbullimi i Përfaqësueses U19 lidhur me ndeshjet miqësore me Shqipërinë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Federata e Futbollit e Kosovës.

“Vendimi është marrë nga Komiteti i Emergjencës i Federatës Shqiptare të Futbollit – FSHF, në mirëkuptim me Federatën e Futbollit të Kosovës, dhe ka ardhur në vijim të konsultimeve të FSHF-së me specialistët përkatës, si pasojë e situatës së fundit të krijuar në Shqipëri”.

“Grumbullimi ka qenë i parashikuar të bëhet në Shqipëri në datat 24-31 mars, ndërsa ndeshjet ishin parashikuar të luheshin në datat 29-31 mars”. 

(Kosova Sot Online)