Rrëfehet futbollisti serb që pranoi të luajë për Kosovën: S’më intereson politika

  • 11 March 2020 - 14:56
Rrëfehet futbollisti serb që pranoi të luajë për Kosovën: S’më intereson politika

Në një rrëfim të fundit për media serbe, futbollisti Ilija Ivic insistoi se atij nuk i intereson politika dhe se e ka pranuar ftesën e ekipit kombëtar U19 të Kosovës pasi që ndihet i vlerësuar për punën që e ka bërë në fushën e lojës.

Vendimi i futbollistit serb që luan që tri vjet në Flamurtari, Ilija Ivicit, për ta pranuar ftesën e ekipit kombëtar U19 të Kosovës ngjalli një debat të madh në mediumet serbe, të cilët e akuzuan atë për tradhti, përderisa nëna e tij u largua nga puna në Komunën e Graçanicës.

Së fundi, në një intervistë të dhënë për gazetën serbe Danas, Ivic tha se ai kishte filluar të ushtronte futboll si gjashtëvjeçar në Graçanicë, ndërsa shtoi se pastaj është pritur shumë mirë në Flamurtari.

“Ndihem normal, sikur në shtëpi”, tha Ivic.

Kur u pyet se si reagoi pasi u ftua të luajë për grupmoshën e ekipit kombëtar të Kosovës, Ivic tha se ishte ndierë i lumtur.

“Sinqerisht, isha i lumtur sepse dikush e kishte vlerësuar punën time të madhe dhe përkushtimin tim. Ndihesha në mënyrë fenomenale. U ndjeva ashtu si ndihet një futbollist kur ftohet nga një ekip kombëtar”, shtoi Ivic.

Ivic e ka një marrëdhënie të mirë me trajnerin e ekipit U19 të Kosovës, Ramiz Krasniqin, i cili e fitoi të luajë për ekipin kombëtar. Kur u pyet se si ndikuan raportimet e mediave serbe pas pranimit të ftesës, Ivic tha se atij i intereson vetëm për futboll.

“Mua s’më intereson politika. Unë dua të luaj futboll në fushën e lojës dhe të bëj gjithçka në mënyrën më të mirë të mundshme. Sinqerisht, s’më intereson politika aspak”, tha Ivic.

Ivic më tutje tha se shokët e shoqet në shkollën ku shkon në Graçanicë e kanë mbështetur atë gjatë kësaj periudhe, ndërkohë që shtoi se vetëm nëna i është pushuar nga puna, ndërsa babanë ia kanë kërcënuar. 

(Kosova Sot Online)