Lojtari i klubit gjerman infektohet me koronavirus

  • 11 March 2020 - 15:37
Lojtari i klubit gjerman infektohet me koronavirus

Mbrojtësi i klubit gjerman Hannover, Timo Hubers, është infektuar me koronavirus. Lajmin e ka konfirmuar klubi i Bundesligës 2, nivelit të dytë të futbollit në Gjermani.

Klubi gjerman beson se futbollisti 23-vjeçar u infektua me virusin Covid-19 gjatë një eventi në Hildesheim të shtunën.

Në një deklaratë të lëshuar të mërkurën, Hannover tha se Hubers menjëherë u vetëizolua, pasi që mësoi se kishte koronavirus shkaku se kishte qëndruar paraprakisht me një person të prekur nga ky virus.

Klubi beson se nuk ka shumë gjasa që Hubers t’ia ketë kaluar virusin edhe pjesës tjetër të skuadrës pasi që nuk kishte qenë në kontakt me ta që nga e shtuna. Megjithatë, të gjithë lojtarët dhe stafi do të testohen.

Drejtori sportiv i klubit, Gerhard Zuber, e lavdëroi Hubers-in për sjelljen e tij pasi e kishte kuptuar se ishte i infektuar.

“Ai vetë nuk ka shfaqur ende asnjë simptomë. Kur ai e zbuloi se një person që kishte qenë në kontakt me në një event ishte i infektuar, ai shkoi menjëherë te mjeku dhe përkohësisht e vendosi veten në karantinë”, ka thënë Zuber.

“Hubers nuk do të jetë opsion për trajnerin për ndeshjen e së dielës me Dynamo Dresden të dielën, por pjesa tjetër e skuadrës po përgatitet si zakonisht”. 

(Kosova Sot Online)