Ronaldinhos i ofrohet të luajë në turne futbolli në burg, me kusht që të mos shënojë gola

  • 11 March 2020 - 17:42
Ronaldinhos i ofrohet të luajë në turne futbolli në burg, me kusht që të mos shënojë gola

Legjendës braziliane të futbollit, Ronaldinhos, i është bërë një ofertë nga të burgosurit për të marrë pjesë në një turne të futbollit të vogël në burgun e Paraguait, ku është duke u mbajtur për hyrje të jashtëligjshme në shtetin e Amerikës Jugore me pasaportë të falsifikuar. Njëra prej kushteve që ish-ylli i Barcelonës duhet ta plotësojë për të qenë pjesë e turneut, është të mos shënojë gola.

Ronaldinho, bashkë me vëllain e vet Roberto Assis, janë duke u mbajtur në burgun Quadrilateral. Në këtë burg mbahen politikanët e ndjekur për korrupsion dhe trafikuesit e drogës.

Ronaldinho dhe vëllai i tij dolën para gjykatës të shtunën, nën akuzat se kishin përdorur pasaporte të rreme për t’u futur në kryeqytetin e Paraguait, Asuncion, të mërkurën.

Gjykata ka urdhëruar që ata të mbahen në burg deri në përfundim të procesit gjyqësor ndaj tyre, duke argumentuar se ekziston rreziku që ata të ikin nga vendi pa përfunduar gjykimi ndaj tyre. Gjykatësja e rastit Clara Ruiz Diaz ka thënë se procesi i hetimit dhe gjykimi mund të zgjasë deri në gjashtë muaj.

Televizioni ABC raportoi se disa prej kapitenëve të 15 ekipeve pjesëmarrëse në këtë turne tradicional në burgun Quadrilateral kanë bërë gjithçka për ta transferuar Ronaldinhon në ekipin e tyre përkatës.

Kushti i vetëm që i është vënë atij ka qenë të mos shënojë gola gjatë ndeshjeve.

Sipas televizionit lokal, qëllimi i të burgosurve është ta shohin Ronaldinhon duke i shfaqur aftësitë e vet me topin gjatë këtij turneu.

Në korrik të vitit 2019, Ronaldinhos iu konfiskuan pasaportat braziliane dhe spanjolle për shkak të mos pagimit të tatimeve dhe mos pagimit të gjobave për ndërtim të jashtëligjshëm në një vend të mbrojtur natyror në Brazil. 

(Kosova Sot Online)