Pas infektimit të një lojtari me koronavirus, izolohen futbollistët e Real Madridit,

  • 12 March 2020 - 12:38
Pas infektimit të një lojtari me koronavirus, izolohen futbollistët e Real Madridit,

Futbollistët dhe të gjithë sportistët e Real Madridit janë vendosur në karantinë, pasi që një lojtare e ekipit të basketbollit të “Los Blancos” doli pozitive në testin për virusin COVID-19.

Mediumi spanjoll, El Chiringuito, raportoi të enjten në mëngjes se një basketbollist i Real Madridit është infektuar me koronavirusin. Edhe ekipi i futbollit është izoluar pasi që skuadra e basketbollit ushtron në të njëjtën qendër me atë të futbollit.

Fakti që basketbollisti e ka zbuluar tani se është i infektuar do të thotë se edhe sportistët e tjerë dhe stafi i klubit mund të kenë qenë në kontakt me virusin.

Të gjithë lojtarët do të duhet ta ndjekin protokollin dhe do të duhet të vetëizolohen për dy javët e ardhshme.

Klubi spanjoll ishte e planifikuar të përballej me Manchester Cityn në Ligën e Kampionëve javën e ardhshme, megjithatë kjo ndeshje do të duhet të shtyhet.

Liga e Kampionëve në përgjithësi është në dyshim, pasi që edhe mbrojtësi i Juventusit, Daniele Rugani, ka dal pozitiv në testin për virusin dje dhe e gjitha skuadra e Juventusit është detyruar të vendoset në karantinë.

Edhe futbolli në kampionatin vendor në Itali është suspenduar shkaku i koronavirusit deri më 3 prill. Ndërkohë, La Liga do t’i zhvillojë ndeshjet e dy xhirove të ardhshme pa tifozë. 

(Kosova Sot Online)