Icardi vendos që të kthehet në Itali

  • 12 March 2020 - 13:26
Icardi vendos që të kthehet në Itali

Juventusi raportohet se është në bisedime me të huazuarin e Interit në Paris Saint-Germain, Mauro Icardin, i cili ka vendosur të kthehet në Itali pasi e kaloi një vit në Ligue 1 me klubin parisien.

Ish-kapiteni i Interit, Mauro Icardi, u largua nga Giuseppe Meazza gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar dhe u transferua në Paris, pas disa problemeve me zikaltrit në sezonin paraprak.

Argjentinasi i ka shënuar 20 gola në 31 ndeshjet e tij për kampionin në fuqi të Ligue 1, mirëpo Gazzetta dello Sport dhe L’Equipe raportojnë se ai s’do të qëndrojë në Paris Saint-Germain përtej këtij sezoni.

Vetëm para pak javësh raportohej si e sigurt se PSG-ja do t’ia paguante shumën e kërkuar të parave Interit sapo të hapej afati kalimtar i verës, në mënyrë që Icardi t’i bashkohet në mënyrë permanente skuadrës në Paris.

Revista prestigjioze franceze L’Equipe së fundi ka zbuluar se marrëdhënia e Icardit me dy yjet e tjera të mëdha në Parc des Princes, Neymari dhe Mbappe, mund të bëjë që Icardi të mos vazhdojë më në kryeqytetin francez.

L’Equipe shkruan se Icardi ndihet i lënë anash dhe beson se Neymari dhe Mbappe preferojnë të mos bashkëpunojnë me të në fushën e lojës dhe nuk ia pasojnë topin.

Megjithatë, e ardhmja e tij duket se nuk do të jetë as me zikaltrit, pasi që drejtori sportiv i Juventusit, Fabio Paratici, thuhet se është në negociata me agjentet dhe bashkëshorten e 27-vjeçarit, Wanda Naran.

Gazzetta dello Sport më tutje shkruan se Interi dëshiron ta shesë sulmuesin këtë verë dhe ai do të jetë në dispozicion për cilëndo skuadër për 65 milionë euro sapo të hapet afati kalimtar. 

(Kosova Sot Online)