FFK futbollistëve: Mos ia zgjasni dorën njëri-tjetrit

  • 12 March 2020 - 13:48
FFK futbollistëve: Mos ia zgjasni dorën njëri-tjetrit

Federata e Futbollit të Kosovës i ka këshilluar futbollistët dhe zyrtarët e klubeve që mos të përshëndeten në mes vete, për ta shmangun rrezikun nga përhapja eventuale e koronavirusit

Federata e Futbollit të Kosovës i ka njoftuar sot klubet me vendimin e Qeverisë së Kosovës që ndeshjet e IPKO Superligës të luhen pa shikues deri më 27 mars.

Ndër të tjera, shtëpia e futbollit kosovar iu ka dhënë edhe informata shtesë klubeve, por i ka njoftuar ata edhe me disa detaje shtesë.

Prej pikave që i ka përmendur FFK-ja është edhe mos-përshëndetja e lojtarëve dhe ekipeve para lojës.

“Si masë parandalimi ndaj koronavirusit, ashtu sikurse në vendet tjera evropiane rekomandohet që futbollistët dhe stafet e skuadrave të mos e bëjnë përshëndetjen e zakonshme të dhënies së duarve në fillim dhe në fund të ndeshjes”, njofton institucioni më i lartë i futbollit kosovar.

FFK-ja tutje ka shtuar se në stadiume gjatë zhvillimit të ndeshjeve do të jenë të pranishëm vetëm stafet e skuadrave, zyrtarët e FFK-së, zyrtarët e klubeve, zyrtarët policor dhe përfaqësuesit e mediave.

Klubet organizatore të ndeshjeve udhëzohen që ta bëjnë vendosjen e dezinfektuesve të duarve në zhveshtore. 

(Kosova Sot Online)