Lojtarët e Interit në karantinë, por s’testohen për koronavirus

  • 12 March 2020 - 13:59
Lojtarët e Interit në karantinë, por s’testohen për koronavirus

Interi raportohet se do ta mbajë skuadrën e izoluar për dy javë pas ndeshjes kundër Juventusit, që do të thotë se futbollistët zikaltër do të jenë të karantinë deri më 22 mars. Kjo pasi që mbrojtësi i Juventusit, Daniele Rugani, është infektuar me koronavirus.

Përkundër që lojtarët e Interit do të mbeten të izoluar edhe për dhjetë ditë të tjera, Gazzetta dello Sport raporton se asnjëri lojtar nuk do të jetë i detyruar të testohet për koronavirus.

Zikaltrit dolën me deklaratë zyrtare për ta konfirmuar se ata i kanë suspenduar seancat stërvitore dhe çdo tjetër aktivitet sportiv për momentin, pasi që do t’i marrin të gjitha procedurat e nevojshme.

“Pas lajmërimit të Juventusit se lojtari i tyre, Daniele Rugani, ka dal pozitiv në testin për Covid-19, Interi bën të ditur se të gjitha aktivitetet sportive janë suspenduar deri në një njoftim tjetër”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Interi.

“Klubi është për momentin duke i marrë të gjitha hapat për ndërmarrjen e procedurave të nevojshme”.

“Futbollisti Daniele Rugani ka dal pozitiv në testin për Covid-19 dhe ai është për momentin asimptomatike”.

‘Juventusi është për momentin duke i aktivizuar të gjitha procedurat e izolimit që kërkohen nga ligji, përfshirë këtu ata që kanë qenë në kontakt me të”.

Kjo do të thotë edhe se Juventusi do ta ketë të pamundur ta luajë ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Lyonit, e cila ishte planifikuar për 17 mars.

Interi ishte i supozuar të luante kundër Getafes në Ligën e Evropës të enjten, mirëpo ndeshja është suspenduar nga UEFA pasi spanjollët s’pranuan të udhëtojnë në Itali. 

(Kosova Sot Online)