UEFA: Nuk ka arsye të shtyhet EURO 2020

  • 12 March 2020 - 15:00
UEFA: Nuk ka arsye të shtyhet EURO 2020

Shtëpia e futbollit evropian UEFA ka bërë të ditur se nuk sheh asnjë arsye për ta shtyrë ose për ta ndryshuar orarin aktual të Kampionatit Evropian 2020, përkundër shqetësimeve gjithnjë e më të mëdha lidhur me përhapjen e koronavirusit.

Siç qëndrojnë gjërat aktualisht, Kampionati Evropian 2020 do të zhvillohet në 12 shtete të ndryshme të Evropës dhe i gjithi ky turne do të fillojë më 12 qershor.

Megjithatë, pasi virusi Covid-19 është shpallur zyrtarisht pandemi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, mediat botërore raportuan për mundësinë që EURO 2020 të shtyhet për në vjeshtë ose vitin e ardhshëm.

Kosova pritet më 26 mars ta vizitojë Maqedoninë e Veriut për gjysmëfinalen e play-offs kualifikues për Kampionatin Evropian 2020, ndërsa më 31 mars do të zhvillohet finalja e madhe me fituesen e duelit tjetër, Gjeorgji – Bjellorusi.

Ndeshja mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut është vendosur të zhvillohet prapa dyerve të mbyllura, ndërsa të mërkurën Federata e Futbollit e Maqedonisë kërkoi nga UEFA që ndeshja të shtyhet.

Përderisa UEFA s’i ka kthyer ende përgjigje Federatës maqedonase, një zëdhënës i UEFA-s ka thënë për Goal se ende s’ka asnjë arsye për ta ndryshuar orarin e Kampionatit Evropian 2020, përderisa s’i ka komentuar ndeshjet e play-offs.

“Nuk ka arsye për të ndryshuar asgjë në agjendën aktuale. UEFA është në kontakt me të gjitha autoritetet relevante ndërkombëtare dhe lokale sa i përket koronavirusit dhe zhvillimit të saj”, ka thënë zëdhënësi i UEFA-s.

Qeveritë dhe autoritetet sportive përreth botës janë duke ndërmarrë veprime drastike në tentim për ta ndalur përhapjen e këtij virusi. Serie A dhe La Liga janë në mesin e kampionateve vendore që janë suspenduar për një kohë, ndërsa ndeshje të shumta të tjera është vendosur të zhvillohen pa praninë e tifozëve. 

(Kosova Sot Online)