Gustavo e kritikon Muriqin me shokë: Si Ronaldinho kur gjërat shkojnë mirë, zhduken kur shkojnë keq

  • 15 March 2020 - 11:06
Gustavo e kritikon Muriqin me shokë: Si Ronaldinho kur gjërat shkojnë mirë, zhduken kur shkojnë keq

Mesfushori brazilian Luiz Gustavo i ka kritikuar ashpër bashkëlojtarët e vet të Fenerbahces, përfshirë yllin kosovar Vedat Muriqi, pas humbjes së Fenerit 1:0 kundër Konyaspor në Superligën turke të shtunën.

Kjo ishte ndeshja e pestë radhazi që Fenerbahce dështon të fitojë në ligë, tri prej të cilave i ka humbur, duke ngelur shumë mbrapa në garë për titull këtë sezon.

Skuadra e yllit të Kombëtares së Kosovës, Muriqit, tani renditet në vendin e shtatë me 40 pikë, 12 më pak se lideri Trabzonspor, i cili ka një ndeshje në dispozicion për ta zhvilluar.

Feneri e shkarkoi trajnerin Ersun Yanal në fillim të këtij muaji, për shkak të formës së dobët dhe Gustavo e drejton gishtin kah bashkëlojtarët e vet për këtë.

“Kur trajneri shkarkohet, nënkupton se lojtarët kanë bërë krim. Këtë e dëshmuam sot në fushë. Duhet t’i pranojmë përgjegjësitë”, tha Gustavo pas ndeshjes.

Braziliani ishte tejet kritik ndaj bashkëlojtarëve, duke i akuzuar se nuk luajnë mirë kur gjërat shkojnë keq.

Muriqi është lojtari më i mirë i Fenerit këtë sezon, me 13 gola dhe 5 asiste në 25 ndeshje deri tani në ligë, edhe pse e ka shënuar vetëm një gol në shtatë ndeshjet e fundit.

“Kur gjërat shkojnë mirë, të gjithë në fushë luajnë si Ronaldinho, por kur ato shkojnë keq, nuk e shoh të njëjtën.  Duhet ta respektojmë këtë klub me histori të madhe”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)