Barcelona e kërkon titullin nëse nuk luhet më La Liga

  • 15 March 2020 - 18:44
Barcelona e kërkon titullin nëse nuk luhet më La Liga

Barcelona mendon se meriton të shpallet kampion për sezonin 2019/20 nëse kampionati nuk luhet më, pasi u anolua për shkak të koronavirusit.

Sipas gazetës katalanase Sport, Barcelona do t’i kërkojë ligës spanjolle të futbollit t’i dorëzojë titullin kampion nëse kampionati nuk rifillon më për shkak të situatës së rëndë nga koronavirusi.

Kur kanë mbetur 11 javë nga fundi i kampionatit, Barcelona po mendon për skenarin që ndoshta La Liga nuk fillon më.

Një nga rregullat ku do të mbështetet është fakti që është shpallur kampione dimri dhe ka luajtur me të gjitha skuadrat deri tani.

Duhet theksuar se me këtë situatë kjo është gjëja e fundit që merret në konsideratë, edhe pse fillimisht duhet të shprehet federata spanjolle.

Ekziston një artikull 118 i federatës që thotë se përballë një situate të jashtëzakonshme, kampionati mund të pezullohet përfundimisht në bashkëpunim me autoritetet përkatëse.

Katalanasit për momentin janë në vendin e parë në La Liga, me 2 pikë më shumë se Reali dhe nëse kampionati anulohet krejtësisht, ata duan titullin.

Ka edhe skenarë të tjerë që kampionati të rifillojë në maj, apo edhe qershor nëse UEFA vendos përfundimisht të anulojë Evropianin Euro 2020.

Tashmë jemi në një situatë të jashtëzakonshme, që ka kapluar krejt botën për shkak të virusit COVID-19 dhe natyrisht, tani për tani futbolli nuk është as në plan të parë e as në atë të dytë.

Në Angli diskutohet gjithashtu për anulim krejtësisht të kampionatit, por ndryshe nga Spanja, ka zëra se duan ta shpallin të pavlefshëm, çka do të thotë se edhe pas 30 vitesh, Liverpooli rrezikon të mbesë pa trofe.

Sidoqoftë, këto janë vetëm zëra në këto ditë të vështira për gjithë botën për shkak të koronavirusit, andaj mbetet për t’u parë se si do të rrjedhin gjërat. 

(Kosova Sot Online)