Iniesta: “Qëndroni në shtëpi, situata po normalizohet në Japoni”

  • 15 March 2020 - 22:06
Iniesta: “Qëndroni në shtëpi, situata po normalizohet në Japoni”

“Të dalim sa më pak në rrugë”, Andres Iniesta, mesfushori i Vissel Kobe, ka dhënë një mesazh nga Japonia në lidhje me emergjencën e krijuar nga koronavirusi.

COVID-19 ka shkaktuar panik të madhe në mbarë botën, shtete të shumta kanë mbyllur kufijtë, derisa ligat nëpër botë janë suspenduar krejtësisht.

Mesazhi është i qartë, të qëndrojmë në shtëpi dhe përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetet sociale, edhe Iniesta ka dhënë një mesazh për këto ditë të vështira që po i kalon e gjithë bota.

“Dua të jap një mesazh mbështetjeje, inkurajimi dhe ndërgjegjësimi në këtë situatë shumë të rëndë dhe të komplikuar që po jetojmë”, ka thënë ish-ylli i Barcelonas.

“Duhen respektuar protokollet, udhëzimet dhe të gjitha masat që po na japin profesionistët në këto ditë. Duhet koherencë me atë që po bëjmë me veten tonë dhe për ata që na rrethojnë”.

“Të dalim sa më pak të jetë e mundur në rrugë. Siç e dini, unë dhe familja ime jetojmë në Japoni. Shkollat janë mbyllur për javë të tëra, kemi dalë sa më pak në rrugë, prakitikisht nuk mund të bënim asgjë”.

“Duket se situata po normalizohet, edhe pse vazhdojmë të marrim të gjitha masat e mundshme”.

Në gjithë botën deri më tani, mbi 160.000 mijë persona janë infektuar, ndërsa mbi 6 mijë kanë vdekur.

Pas Italisë, është prekur më së shumti Spanja me afër 300 persona të vdekur dhe mbi 7 mijë të infektuar, ndërsa virusi vdekjeprurës ka arritur edhe në Kosovë dhe Shqipëri.

Në Shqipëri deri më tani janë regjistruar mbi 40 raste, kurse në Kosovë zyrtarisht deri më tani janë konfirmuar 9 raste të prekur me COVID-19. 

(Kosova Sot Online)