Lampard zbulon gjendjen e Hudson-Odoit, që u infektua me koronavirus

  • 18 mars 2020 - 11:46
Lampard zbulon gjendjen e Hudson-Odoit, që u infektua me koronavirus

Trajneri i Chelseat, Frank Lampard, thotë se sulmuesi anësor Callum Hudson-Odoi është duke u shëruar në mënyrë të mrekullueshme pasi u infektua me koronavirus.

19-vjeçari doli pozitiv në testin për virusin Covid-19 javën e kaluar, duke e detyruar Chelsean t’i anulojë seancat stërvitore për një kohë, përderisa edhe Premierliga është suspenduar shkaku i koronavirusit.

Të Kaltrit e Londrës e rihapën kampin stërvitor të martën, mirëpo Hudson-Odoi dhe ata që kanë qenë në kontakt me të vazhdojnë të jenë të vetizoluar nëpër shtëpitë e veta.

Dhe trajneri i Chelseat, Lampard, e dha një lajm të mirë për sulmuesin anësor anglez, duke treguar se procesi rikuperues i tij po shkon mirë.

“Unë jam i lumtur të ju tregoj për rastin e Callumit. Ai ka bërë progres shumë të mirë dhe po ndihet se është kthyer pothuajse në gjendjen normale të tij”, ka thënë Lampard për faqen zyrtare të Chelseat.

Hudson-Odoi ishte lojtari i parë i Premierligës që u konfirmua se është infektuar me këtë virus, por shumë lojtarë janë detyruar të vetizolohen pasi që kanë qenë në kontakt me persona të tjerë të infektuar. 

(Kosova Sot Online)