Juventusi, PSG-ja e Man City luftojnë për yllin e Lyonit

  • 18 March 2020 - 13:56
Juventusi, PSG-ja e Man City luftojnë për yllin e Lyonit

Juventusi përballet me konkurrencë nga Paris Saint-Germaini dhe Manchester City në garën për transferimin e yllit të Lyonit, Houssem Aouar, gjatë afatit kalimtar të verës, sipas gazetës italiane Il Corriere dello Sport.

Bardhezinjtë kanë qenë të përfolur për një transferim të mundshëm të mesfushorit të Lyonit që një kohë të gjatë, pasi që edhe vetë presidenti i klubit francez, Jean-Michel Aulas, e ka pranuar se futbollisti mund të shitet te kampioni në fuqi i Italisë.

Megjithatë, gazeta italiane Il Corriere dello Sport pretendon se gjiganti italian Juventus mund të presë konkurrencë më të zjarrtë për shërbimet e Aouar.

E përditshmja italiane spekulon se edhe dy klube të mëdha të Evropës që njihen për buxhetet e tyre të mëdha, Paris Saint-Germaini dhe Manchester City, janë të interesuara për transferimin e mesfushorit 21-vjeçar.

Raportohet se Lyoni as do ta shqyrtojë asnjë ofertë nën 70 milionë euro për Aourarin.

Mesfushori i ka bërë 33 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon, duke i shënuar tetë gola. 

(Kosova Sot Online)