Presidenti i La Ligës u kërkon klubeve t’i rinisin stërvitjet sa më shpejt

  • 20 March 2020 - 10:19
Presidenti i La Ligës u kërkon klubeve t’i rinisin stërvitjet sa më shpejt

Presidenti i La Ligës, Javier Tabes, e mbajti gjatë së enjtes një takim përmes thirrjeve me video me të gjitha klubet e ligës elitare të futbollit në Spanjë për ta diskutuar planin për pjesën e mbetur të këtij sezoni.

Presidenti i La Ligës dëshironte të diskutonte me klubin për datën se kur mund të kthehet kampionati vendor në Spanjë, pasi që UEFA u ka dhënë afat ligave të përfundojnë deri më 30 qershor.

UEFA e ka bërë të qartë se klubet duhet t’i respektojnë këto afate, pasi që vetë e shtyu Kampionatin Evropian për në verën e vitit 2021, për një vit, në mënyrë që t’ua japë këtë mundësi klubeve.

Tebas u ka kërkuar klubeve spanjolle që t’i kthejnë lojtarët dhe t’i fillojnë sërish seancat stërvitore sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të gjithë të jetë gati për rinisjen e kampionatit, kurdo që ndodh kjo.

Gjatë kësaj video-konference, Tebas i siguroi të gjitha klubet se siguria dhe shëndeti i lojtarëve do të respektohej dhe se ndeshjet nuk do të zhvillohen përderisa Spanja të jetë në gjendje të jashtëzakonshme.

Plani i La Ligës është që t’i kthehet fushës së lojës rreth 23 prillit, mirëpo fundjava e parë e majit vlerësohet se ka më shumë gjasa të jetë data e kthimit të La Ligës sipas mediumeve spanjolle.

(Kosova Sot Online)