Man Unitedi interesohet për Coutinhon

  • 20 March 2020 - 11:10
Man Unitedi interesohet për Coutinhon

Manhester Unitedi është interesuar për transferimin e mesfushorit të Barcelonës të huazuar në Bayern Munich, Philippe Coutinho, gjatë afatit kalimtar të verës.

Philippe Coutinho iu bashkua gjigantit spanjoll për 167 milionë euro në janar të vitit 2018, mirëpo s’arriti ta dëshmojë veten në Camp Nou dhe u dërgua në formë huazimi në Bayern Munich.

Coutinho fillimisht kishte shprehur dëshirën të qëndrojë edhe përtej këtij sezoni në Allianz Arena, mirëpo gjiganti gjerman ende s’i është përgjigjur pyetjes së Barcelonës se a do ta shfrytëzojë opsionin në marrëveshje për ta blerë futbollistin për 130 milionë euro.

Kjo shumë mund t’i duket shumë e madhe Bayerni, pasi që e përditshmja spanjolle, Mundo Deportivo, raportoi disa javë më parë se Barcelona është e gatshme ta shesë Coutinhon për 80 milionë euro, 87 milionë euro më pak sesa që e bleu, në mënyrë që ta shesë gjatë afatit kalimtar të verës.

Ky çmim bën që trajneri Ole Gunnar Solskjaer ta kërkojë transferimin e Coutinhos pasi që dëshiron ta përforcojë repartin e mesfushës për sezonin e ardhshëm. Mirëpo për ta arritur këtë qëllim, Djajtë e Kuq do të përballen me garë edhe nga Chelsea.

27-vjeçari ka luajtur në gjithsej 32 ndeshje për Bayernin gjatë këtij sezoni 2019/20 (22 në Bundesligë, shtatë në Ligën e Kampionëve dhe tri në DFB Pokal), dhe ka kontribuar në to me nëntë gola dhe tetë asiste. 

(Kosova Sot Online)