Barcelona u kërkon ndihmë financiare lojtarëve

  • 20 March 2020 - 14:38
Barcelona u kërkon ndihmë financiare lojtarëve

Bordi drejtues i Barcelonës do të takohet të premten për të gjetur mënyra se si ndikimi i krizës së koronavirusit në buxhetin e klubit të mbetet sa më i vogël që të jetë e mundur.

Spanja është njëra ndër vendet më të prekura nga koronavirusi në Evropë dhe pasi që La Liga e Liga e Kampionëve janë suspenduar përkohësisht, Barcelona pret të humbë miliona euro gjatë kësaj periudhe.

Sipas mediumit spanjoll, La Vanguardia, bordi drejtues i klubit katalonas do t’u kërkojë anëtarëve të skuadrës së Quique Setien të ndihmojnë në aspektin financiar për klubin e tyre.

Buxheti prej 61 milionë euro këtë sezon i Barcelonës është shpenzuar për transferime të reja, përderisa 507 milionë euro janë shpenzuar për pagat e lojtarëve dhe 135 milionë euro të tjera për pagesën e borxheve.

Ndërkohë, Manchester Unitedi ka vendosur t’i paguajë edhe punëtorët që s’kanë kontratë me klubin, por që punësoheshin vetëm gjatë ndeshjeve në Old Trafford, si rojet e sigurimit dhe ata që merren me futjen e tifozëve në stadium.

Madje, Djajtë e Kuq synojnë ta mbajnë këtë premtim edhe nëse Premierliga anulohet ose ndeshjet zhvillohen prapa dyerve të mbyllura, shkaku i koronavirusit.

“Ky gjest i mirë e reflekton dëshirën e klubit për ta reduktuar pasigurinë financiare që e ka goditur fuqinë punëtore, si dhe bëhet si shenjë mirënjohjeje për punëtorët që kanë luajtur rol të rëndësishëm në klub dhe u kanë shërbyer tifozëve”, thuhet në deklaratën e klubit. 

(Kosova Sot Online)