Napoli kundër ligës, nis stërvitjet me 25 mars

  • 21 March 2020 - 08:37
Napoli kundër ligës, nis stërvitjet me 25 mars

Napoli del kundër vendimit në Serie A.

Vetëm disa orë pasi asamblea e ligës italiane të futbollit bashkë me shoqatën e futbollistëve profesionistë morën vendimin që futbollistët e të gjitha skuadrave të qëndrojnë pushim deri në datën 4 prill, klubi i kaltër komunikoi zyrtarisht se Napoli do të dalë në stërvitje mëngjesin e 25 marsit.

Ky vendim i Napolit për të nisur stërvitjen ka ardhur si një rrufe në qiell të hapur dhe pritet të krijojë shumë polemika në Itali, pasi sipas ligës së futbollit të gjitha klubet duhet ta nisin stërvitjen në të njëjtën kohë, për të pasur të njëjtën formë fizike kur të rifillojë kampionati.

Pas suspendimit të ligave për shkak të koronavirusit, raportohet se ato do të rinisin në maj, nëse qetësohet situata me armikun e padukshëm.

Raportohet se nëse gjithçka shkon sipas planifikimeve, edhe ligat edhe Champions League bashkë me Europa Leaguen, do të përfundojnë suksesshëm deri më 30 qershor.

Koronavirusi deri më tani ka marrë afër 10 mijë jetë njerëzisht, ndërsa janë infektuar afër 300 mijë persona.

Italia është vendi që është goditur më së shumti nga kjo pandemi.

Në 24 orët e fundit, raportohet se kanë vdekur 627 persona në Itali, duke shkuar në total numri në 4,032.

(Kosova Sot Online )