Conte e do Marash Kumbullën në vend të Godinit

  • 21 March 2020 - 10:47
Conte e do Marash Kumbullën në vend të Godinit

Një gjë është e sigurt, Marash Kumbulla do ta veshë fanellën e një klubi të madh sezonin e ardhshëm… pas largimit të Rrahmanit, Hellas Verona do të mbesë edhe pa Kumbullën.

Marash Kumbulla vazhdon të përbëjë lajm në Itali edhe jashtë fushës së blertë dhe kur futbolli është ndalur për shkak të Koronavirusit.

20-vjeçari kuqezi është në “radarët” e skuadrave më të mëdha europiane, por dëshira e tij e madhe ka qenë e me siguri mbetet të luajë te Interi.

Zikaltrit po mendojnë gjithnjë e më shumë për t’i siguruar shërbimet e tij që këtë verë, aq më tepër që ditët e fundit janë shuar zërat për një largim të mundshëm të uruguaianit, Diego Godin.

Ish-mbrojtësi i Atleticos e ka treguar rëndësinë e tij me përvojën dhe karakterin që shfaq në dhomat e zhveshjes, por ai po vuan shumë në skemën me tre mbrojtës të Antonio Contes (duhet të mbrojë në hapësira të mëdha). Bastoni, dalëngadalë po i zë vendin, kështu që sot, Godin konsiderohet një lojtar luksi në stol me 5 milionë eurot që merr në sezon.

Kur të mbyllet sezoni, klubi dhe lojtari uruguaian do të bëjnë llogaritë, ndërkohë që për të ardhmen drejtuesit vazhdojnë të ndjekin Kumbullën, që e konsiderojnë pikërisht pasuesin e Godinit.

Verona i ka vënë një çmim 25 milionë euro, shifër ku duhet të bazohet oferta e Interit, por sipas Il Corriere dello Sport Interi mund të ofrojë fillimisht deri në 20 milionë euro për mbrojtësin shqiptar. Në klubin zikaltër besojnë se kanë gjetur një Skriniar të dytë, teksa ky i fundit kërkohet gjithashtu nga shumë klube evropiane.

Amir Rrahmani tashmë është larguar nga Hellas Verona, edhe pse do të bartë fanellën e klubit të tij të parë në Itali deri në fund të sezonit.

Kapiteni i Kosovës është transferuar te Napoli në afatin kalimtar të janarit, por do t’i bashkohet skuadrës së Gennaro Gattusos vetëm sezonin 2020/21.

Rrugës së Rrahmanit është edhe Kumbulla, kjo tashmë është e pashmangshme, Hellas Verona vetëm po pret për ofertën më të mirë. 

(Kosova Sot Online)