Kriza godet edhe lojtarët, pritet t’iu ulen dukshëm pagat

  • 21 March 2020 - 17:08
Kriza godet edhe lojtarët, pritet t’iu ulen dukshëm pagat

Klubet e Serisë A, si dhe Barcelona e Real Madridi, janë duke e shqyrtuar mundësinë e uljes së pagave të futbollistëve për rreth 30 për qind shkaku i krizës së shkaktuar nga koronavirusi.

Për momentin ende nuk dieht data se kur do të kthehet kampionati në ligat më të mëdha të Evropës, përderisa disa mediume të mëdha evropiane raportojnë se ligat mund të rinisin në fillim të majit, ndërsa duhet të përfundojnë deri më 30 qershor, siç është caktuar nga UEFA.

Nëse ligat s’mund të rinisin dhe të përfundojë deri më 30 qershor, atëherë janë dy skenare të mundshme. E para është që sezoni të vazhdohet deri në korrik, por kjo do të shkaktonte probleme shkaku se kontratat e shumë lojtarëve skadojnë në fund të qershorit.

Afati kalimtar i verës gjithashtu do të duhet të ndryshohej në mënyrë që skuadrat aktuale të klubeve evropiane të mund të mbeteshin të plota deri në fund të sezonit. E përditshmja spanjolle AS raporton se shumica e futbollistëve në Serie A dhe agjentët e tyre janë pajtuar me këtë opsion.

Opsioni i dytë është që kampionatet të anulohen plotësisht për këtë sezon. Për Serinë A, humbjet financiare të një skenari të tillë do të ishin të mëdha: rreth 800 milionë euro, por sipas të gjitha gjasave edhe më shumë.

Shumë klube tashmë veçse i kanë investuar paratë që prisnin t’i merrnin nga shitja e të drejtave televizive dhe një pjesë e atyre parave, për pjesën e mbetur të sezonit, do të humbej me anulimin e kampionatit.

Klubet tani po tentojnë të gjejnë mënyrën më të mirë për t’i reduktuar sa më shumë humbjet dhe për këtë arsye në takimin e së premtes të klubeve të Serisë A u diskutua mundësia e suspendimit të pagave të lojtarëve për muajin mars.

Megjithatë, gazeta italiane Il Giornale raporton se klubet e Serisë A e kanë menduar si opsion uljen e pagave të lojtarëve për të gjithë pjesën e mbetur të sezonit për 30 për qind, ndërsa më tutje shton se me këtë propozim janë pajtuar edhe Barcelona dhe Real Madridi, që janë kontaktuar fillimisht nga gjiganti italian Inter. 


(Kosova Sot Online)