Federata angleze mohon lajmin se në Wembley po gatuhet një lazanja e madhe

  • 21 March 2020 - 17:43
Federata angleze mohon lajmin se në Wembley po gatuhet një lazanja e madhe

Federata e Futbollit e Anglisë është detyruar të dalë me reagim për t’i mohuar pretendimet se stadiumi kombëtar anglez Wembley po përdoret për ta gatuar një lazanja të madhe për t’i ndihmuar njerëzit që janë vetizolur shkaku i krizës së shkaktuar nga koronavirus. I gjithi ky pretendim kishte filluar si shaka online, por më vonë ishte bërë viral.

Billy McLean, një shitës softuerësh 29-vjeçar nga Londra, e kishte nisur për shaka këtë pretendim për stadiumin Wembley, duke ua shkruar atë pretendim shokëve të tij në një grup në Whatsapp, në mes të shumë lajmeve të rrema lidhur me mënyrën se si po trajtohet kriza e koronavirusit.

Shumë postime në rrjete sociale për këtë lajm më vonë u bënë virale, pasi që disa prej tyre pretendonin se njihnin zyrtarë qeveritarë dhe se janë në dijeni se lajmi do të bëhet publik së shpejti.

E sado e çuditshme që po vlerësohet nga tifozët në rrjete sociale, Federata e Futbollit e Anglisë ka vendosur të reagojë ndaj këtyre pretendimeve. Federata u dërgoi deklaratë zyrtare gazetave angleze për ta mohuar këtë lajm.

E përkundër që vetë e kishte nisur këtë pretendim në formë shakaje në një grup me shokët e tij, McLean thotë se nuk kishte menduar se mesazhi i tij në grupin e Whatsappit do të shpërndahej e raportohej si lajm serioz.

“Qëllimi është i mirë, por nganjëherë pasojat e gjëra të tilla janë të këqija. Kjo i bën njerëzit të jenë edhe më shumë në panik. Nuk ka asgjë të vërtetë në atë që e kam thënë në mesazhe”, ka thënë McLean. 

(Kosova Sot Online)