Emery zbulon dëshirën për ta vazhduar karrierën në Serie A dhe lavdëron Juventusin

  • 21 March 2020 - 20:12
Emery zbulon dëshirën për ta vazhduar karrierën në Serie A dhe lavdëron Juventusin

Trajneri Unai Emery ka konfirmuar se ka qenë në kontakt me disa klube të ndryshme italiane dhe ka thënë se është i hapur ndaj vazhdimisht të karrierës së tij si trajner në Serie A, përderisa e ka lavdëruar Juventusin.

Ish-trajneri i Paris Saint-Germainit dhe Arsenalit tani ka mbetur pa punë, pasi që u zëvendësua nga Mikel Artetas në postin e trajnerit në Emirates. Së fundi ai foli për të ardhmen e tij për mediumin italian TuttoJuve.com.

“Unë isha trajner për 16 vjet radhazi, kështu që kam vendosur të pushoj pak në përgatitje për projektin që më frymëzon më së shumti. Nuk e përjashtoj asnjë vend: Angli, Francë e Spanjë ku kam punuar tashmë dhe në Itali, ku s’kam punuar kurrë më parë”, ka thënë Emery.

“Unë kam pasur kontakt me disa klube të ndryshme italiane, por për një arsye apo tjetër, nuk ishte e mundur të punoj aty në atë moment. Jam i hapur ndaj gjithçkaje dhe e kam vënë njërin sy te Serie A. Në shenjë respekti dhe drejtësie, unë nuk do t’i emëroj klubet që më kanë kontaktuar në të kaluarë”.

Emery ka qenë i përfolur për emërim potencial në postin e trajnerit të Juventusit, për të cilin ishte spekuluar edhe para se të emërohej Maurizio Sarri, me të cilin është përballur në të kaluarën gjatë derbive të Londrës mes Arsenalit dhe Chelseat.

“Sarri ka shumë përvojë dhe ai e ka dëshmuar veten me arritjet në Napoli dhe Chelsea. Mua më bën përshtypje vëmendja ndaj detajeve dhe organizimit të skuadrës që ai e mban. Chelsea bëri punë të mirë, e mori vendin e tretë në ligë dhe e fitoi Ligën e Evropës në finale kundër nesh. Ai bëri punë të mirë në Angli e pastaj u kthye në Itali aq shpejt sepse u thirr nga një klub i madh si Juventusi”.

“Mendoj se bardhezinjtë janë në grupin e tre apo katër skuadrave që mund ta fitojnë këtë sezon titullin e Ligës së Kampionëve. Mendoj se gjasat e tyre më të mira për ta fituar trofeun ishin në vitin 2017”. 

(Kosova Sot Online)