Valon Berisha në karantinë, tregon rutinën e ushtrimeve

  • 21 March 2020 - 20:56
Valon Berisha në karantinë, tregon rutinën e ushtrimeve

Ylli i Kosovës, Valon Berisha, është duke i respektuar rregullat e autoriteteve qeveritare për vetizolim, përderisa ka treguar se nuk po i lë anash as udhëzimet e trajnerit të tij duke ushtruar për të mos rënë nga forma tani që kampionatet janë pezulluar.

Koronavirusi e ka goditur edhe botën e futbollit, duke bërë që ligat e futbollit të suspendohen përkohësisht në mënyrë që të mos ndikojnë në përhapjen edhe më të madhe të kësaj pandemie.

Ndër kampionatet e ndikuara është edhe Bundesliga, ku luan aktualisht Berisha me skuadrën e Dusseldorfit, pasi që është i huazuar aty nga Lazio për gjashtë muaj, nga janari i këtij viti deri në qershor.

Trajnerët e klubeve evropiane u kanë kërkuar lojtarëve të tyre që të stërviten vetë në shtëpitë e tyre gjatë kësaj kohe sa aktivitetet sportive janë të pezulluara, në mënyrë që të jenë gati për rinisjen e sezonit kur të përmirësohet situata.

Këto këshilla është duke i ndjekur Valon Berisha, i cili i ka publikuar në llogarinë e tij në Instagram disa video për ta treguar rutinën e ushtrimeve tani që është në karantinë në Gjermani.

(Kosova Sot Online)