Ish-mesfushori Keane: Detyra ime s’ishte të shënoj gola, por të fitoj tituj

  • 24 March 2020 - 13:25
Ish-mesfushori  Keane: Detyra ime s’ishte të shënoj gola, por të fitoj tituj

Ish-mesfushori legjendar i Manchester Unitedit, Roy Keane, ka thënë se detyra e tij në skuadrën e Djajve të Kuq ishte të fitojë trofe e jo të fitojë lëvdata individuale duke shënuar gola të shumtë.

Në një edicion të veçantë të emisionit Monday Night Football, Roy Keane iu bashkua ish-bashkëlojtarit të tij Gary Neville dhe ish-rivalit në Liverpool Jamie Carragher për ta diskutuar fitoren e Manchester Unitedit me rezultat 6:1 kundër Arsenalit në shkurt të vitit 2001, kur dy skuadrat ishin rivale për titullin e Premierligës.

Keane e kishte shënuar golin e katërt nga pesë golat e Manchester Unitedit në pjesën e parë të ndeshjes. Ajo ishte njëra ndër dy golat e tij të vetme në atë sezon, kur e kishte drejtuar skuadrën te trofeu i tretë radhazi i Premierligës.

Kur u pyet se a mendon se duhej të kishte shënuar më shumë gola për Manchester Unitedit, Keane insistoi se kjo s’kishte qenë detyra e tij.

“Jo, absolutisht jo. Nuk ishte detyra ime. Detyra ime ishte të sigurohesha që ne nuk i humbnin ndeshjet dhe që të fitonin trofe”, ka thënë Keane.

“Unë kisha shënuar mjaft shumë gola në karrierë, kështu që mendova: “E kam bërë atë pjesë të lojës, tani do të fokusohem që të rri para vijës së mbrojtjes dhe ta diktoj ndeshjen””.

“Unë shënoja mjaft shumë gola në seancat stërvitore, por kur vinte koha e ndeshjeve, ia lija atë detyrë sulmuese dhe njerëzve si Paul Scholes, Ryan Giggs e David Beckham, të cilët mezi s’prisnin të dilnin në sulm”. 

(Kosova Sot Online)