Ylli i Chelseat: Uroj të ulet numri i viktimave, jo të kthehet Premierliga

  • 24 March 2020 - 13:29
Ylli i Chelseat: Uroj të ulet numri i viktimave, jo të kthehet Premierliga

Mbrojtësi i Chelseat, Antonio Rudiger, ka insistuar se futbolli nuk është prioritet për të në këto momente, mes krizës së shkaktuar nga koronavirusi.

Sezoni 2019/20 i Premierligws është pezulluar përkohësisht për një kohë të pacaktuar shkaku i krizës së Covid-19, virus ky që i ka prekur 392,148 njerëz në të gjithë botën, ndërsa i ka lënë të vdekur gjithsej 17,138.

Top pesë ligat e Evropës – Premierliga, La Liga, Bundesliga, Ligue 1 dhe Serie A – janë pezulluar të paktën deri në prill, ndërsa edhe garat e tjera evropiane e kanë ndjekur po këtë hap.

Në tentim për t’u siguruar që sezoni i klubeve do të kompletohet, UEFA vendosi ta shtyjë Kampionatin Evropian për verën e vitit 2021, në mënyrë që klubet të mund të luajnë edhe verës për ta përfunduar sezonin 2019/20.

Rudiger është vetizoluar, njëjtë si e gjithë skuadra e Chelseat, pasi bashkëlojtari i tyre, Callum Hudson-Odoi, doli pozitiv në testin për koronavirus më 13 mars.

Gjermani insistoi se tani nuk është e rëndësishme të dihet kur do të kthehet kampionati në Premierligë, por që numri i viktimave të ulet.

“Dëshira ime më e madhe tani është që shifrat për të infektuarit e rinj sot të jenë sërish më të ulët sesa dje. Dëshira ime më e madhe nuk është që Premierliga të kthehet menjëherë”, ka thënë Rudiger.

“Futbolli nuk është prioriteti tani. E rëndësishme është vetëm që të ngadalësohet përhapja e virusit”. 

(Kosova Sot Online)