“Ronaldo dhe Messi mund të shkojnë në Bjellorusi për të luajtur futboll”

  • 24 March 2020 - 13:52
“Ronaldo dhe Messi mund të shkojnë në Bjellorusi për të luajtur futboll”

Futbolli kudo në Evropë dhe në botë është pezulluar përkohësisht shkaku i virusit Covid-19, mirëpo Premierliga bjelloruse po vazhdon ende me zhvillimin e ndeshjeve.

Ish-ylli i Barcelonës dhe Arsenalit, Alexander Hleb, bëri shaka se Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo mund të vendosin të transferohen në Bjellorusi vetëm sa për të luajtur futbollit gjatë krizës së koronavirusit.

Top pesë ligat e Evropës – Premierliga, La Liga, Bundesliga, Ligue 1 dhe Serie A – janë pezulluar të paktën deri në prill, ndërsa edhe garat e tjera evropiane e kanë ndjekur po këtë hap. Edhe Kampionati Evropian e Kupa e Amerikës, që ishte planifikuar të zhvilloheshin këtë verë, janë shtyrë për vitin tjetër.

Megjithatë, Premierliga bjelloruse po vazhdon si zakonisht, madje me tifozë të pranishëm në stadiume, gjë që sipas Hleb mund të bëjë që Messi dhe Ronaldo të transferohen aty.

“E gjitha bota tani po e shikon ligën bjelloruse, Të gjithë ulen para televizionit dhe na shikojnë neve. Kur NHL-ja u pezullua, shumë lojtarë të hokejit shkuan në Rusi për të luajtur. Ndoshta Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo tani do të vijnë në Bjellorusi për të luajtur futboll”, tha Hleb.

“Është vendi i vetëm në Evropë ku mund të luash ende futboll. Të paktën atëherë do të ishin të lumtur njerëzit e Bjellorusisë”. 

(Kosova Sot Online)