“E vështirë të kemi sërish ndeshje futbolli këtë sezon”

  • 25 March 2020 - 09:20
“E vështirë të kemi sërish ndeshje futbolli këtë sezon”

Ish-mbrojtësi i Real Madridit, Fabio Cannavaro, beson se do të jetë shumë e vështirë të rinisin ndeshjet e futbollit në Evropë para se të përfundojë sezoni aktual 2019/20, në mes të krizës së shkaktuar nga koronavirusi.

Sezoni 2019/20 në botën e futbollit është pezulluar përkohësisht për një kohë të pacaktuar shkaku i krizës së Covid-19, virus ky që i ka prekur 423,469 njerëz në të gjithë botën, ndërsa i ka lënë të vdekur gjithsej 18,909.

Top pesë ligat e Evropës – Premierliga, La Liga, Bundesliga, Ligue 1 dhe Serie A – janë pezulluar të paktën deri në prill, ndërsa edhe garat e tjera evropiane e kanë ndjekur po këtë hap.

Në tentim për t’u siguruar që sezoni i klubeve do të kompletohet, UEFA vendosi ta shtyjë Kampionatin Evropian për verën e vitit 2021, në mënyrë që klubet të mund të luajnë edhe verës për ta përfunduar sezonin 2019/20.

Megjithatë, ish-mbrojtësi i Italisë, Juventusit dhe Real Madridit, Cannavaro – i cili tani është në drejtim të gjigantit kinez Guangzhou Evergrande – nuk beson se futbolli do të mundë të rinisë në maj.

“Nuk e di se çfarë do të ndodhë me botën as pas një muaji e gjysmë. Mendoj se do të duhet të kalojë shumë kohë që kjo krizë të kalojë në Itali dhe Spanjë. Do të jetë e vështirë që futbolli evropian të rinisë para se të përfundojë sezoni”, ka thënë Cannavaro. 

(Kosova Sot Online)