Sulmuesi William largohet nga Anglia, kthehet në vendlindje

  • 25 March 2020 - 10:51
Sulmuesi William largohet nga Anglia, kthehet në vendlindje

William largohet nga Anglia, kthehet në vendlindje

Sulmuesi anësor William është kthyer në Brazil, pasi mori leje nga klubi i tij, Chelseat, për t’u larguar nga Anglia në mes të krizës së shkaktuar nga koronavirusi.

Sezoni 2019/20 në botën e futbollit është pezulluar përkohësisht për një kohë të pacaktuar shkaku i krizës së Covid-19, virus ky që i ka prekur 423,469 njerëz në të gjithë botën, ndërsa i ka lënë të vdekur gjithsej 18,909 .

Top pesë ligat e Evropës – Premierliga, La Liga, Bundesliga, Ligue 1 dhe Serie A – janë pezulluar të paktën deri në prill, ndërsa edhe garat e tjera evropiane e kanë ndjekur po këtë hap.

Në tentim për t’u siguruar që sezoni i klubeve do të kompletohet, UEFA vendosi ta shtyjë Kampionatin Evropian për verën e vitit 2021, në mënyrë që klubet të mund të luajnë edhe verës për ta përfunduar sezonin 2019/20.

Megjithatë, për shkak të situatës aktuale, nuk është e qartë se kur mund të rinisin ndeshjet e kampionateve në Evropë, e madje disa ekspertë thonë se s’do të ketë mundësi të luhen më fare ndeshje këtë sezon.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, i ka marrë disa masa më strikte gjatë ditëve të fundit dhe William mund të jetë i pari nga shumë lojtar të Premierligës që largohet nga Anglia drejt vendlindjes, pasi që rregullat e reja në Britani pritet të zgjasin të paktën tre javë.

Aktualisht, që nga e hëna, njerëzit në Britani të Madhe kanë të drejtë të largohen nga shtëpia vetëm nëse e kanë të nevojshme të shkojnë në punë, të blejnë gjëra esenciale, për nevoja mjekësore ose për ushtrime fizike një herë në ditë. 

(Kosova Sot Online)