Zënkë mes presidentit të Juventusit dhe atij të Lazios: Tani më je bërë edhe virolog

  • 25 March 2020 - 12:43
Zënkë mes presidentit të Juventusit dhe atij të Lazios: Tani më je bërë edhe virolog

Presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli, dhe ai i Lazios, Claudio Lotito, e theksuan tensionin mes tyre gjatë një takimi që u zhvillua së fundi për t’i diskutuar zgjidhjet e mundshme për mbylljen e sezonit 2019/20 të Serisë A.

 Pandemia e koronavirusit rrezikon ta anulojë të gjithë sezonin 2019/20 të Serisë A, mirëpo presidenti i Lazios, Claudio Lotito, insistoi se ai është shumë i bindur që sezoni do të mundë të përfundohet.

Serie A e mbajti një takim urgjent me të gjithë drejtuesit e klubeve të ligës elitare të futbolli italian për mundësinë e rinisjes së kampionatit. Njëri ndër të vetmit që ishte optimist ishte shefi i Lazios.

“A i keni parë të dhënat? Po kalon kjo situatë! Unë e di këtë, unë kam folur me ekspertët, ata që janë në vijën e frontit e jo me mjekët e klubeve të futbollit si ju”, tha Lotito gjatë takimit, sipas Tuttosport.

Por, Andrea Agnelli i Juventusit, i cili konsiderohet si njëri ndër njerëzit më të fuqishëm në botën e futbollit, iu përgjigj shpejt deklaratës së shefit të Lazios.

“Natyrisht, tani ti je bërë ekspert i virologjisë”, tha Agnelli. 

(Kosova Sot Online)