Lojtarët e Barcelonës e diskutojnë vendimin për uljen e pagave të tyre

  • 25 March 2020 - 13:38
Lojtarët e Barcelonës e diskutojnë vendimin për uljen e pagave të tyre

Kapitenët e ekipeve të ndryshme të Barcelonës, si të futbollit e të basketbollit, janë duke e diskutuar planin e klubit katalonas për t’ua ulur pagat gjatë krizës së koronavirusit.

Barcelona ka vendosur t’ua ulë lojtarëve pagat për 70 për qind me mënyrën ERTE siç njihet në Spanjë, që i bie se paga do të ulet vetëm për një afat të caktuar dhe pastaj do të kthehet gjithçka në normalitet.

AS fillimisht shkroi se lojtarët janë pajtuar me këtë vendim, mirëpo së fundi raportoi se kapitenët e ekipeve të ndryshme të Barcelonës janë duke mbajtur takime virtuale për të diskutuar se a duhet ta pranojnë këtë propozim.

Të martën, një seri takimesh u realizuan mes drejtorit sportiv, Albert Solar, dhe menaxherëve të secilit repart të klubit për ta komunikuar vendimin e Barcelonën për këtë plan. Aktivitetet sportive janë pezulluar dhe klubi është detyruar t’i ndërmarrë këto masa përderisa Spanja mbetet në alarm për koronavirusin.

Plani i klubit katalonas është që të gjithë futbollistët ta marrin vetëm 30 për qind të pagës ditore për aq kohë sa të jenë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi. E njëjta rregull vlen edhe për klubin e basketbollit të Barcelonës.

Aspekt i rëndësishëm i këtij plani të Barcelonës është që kur kampionati të rinisë dhe lojtarët të fillojnë stërvitjet sërish, në fund të sezonit ata do ta marrin edhe 70 përqindëshin e pagës që e kishin humbur gjatë kohës së krizës.

Ata do ta marrin pagën e plotë pasi që edhe pse nuk punuan me skuadrën në kampin stërvitor, lojtarët ishin të detyruar t’i ndiqnin udhëzimet e klubit dhe një program individual stërvitor nga shtëpia. 

(Kosova Sot Online)