Muriqi: Të rrimë në shtëpi për shëndetin e të gjithë njerëzve

  • 25 March 2020 - 14:54
Muriqi: Të rrimë në shtëpi për shëndetin e të gjithë njerëzve

Sulmuesi kosovar shprehet i brengosur me gjendjen e fundit shkaku i koronavirusit, por i ka këshilluar të gjithë që të kenë kujdes, në mënyrë që të kalohet sa më shpejt pandemia që ua mori jetën mijëra njerëzve

Vedat Muriqi është izoluar në shtëpi, bashkë me futbollistët tjerë të Fenerbahçes.

Futbollisti kosovar ka dalë me mesazh për të gjithë njerëzit që po e luftojnë koronavirusin.

Ai shprehet i brengosur me gjendjen e fundit, ndërsa uron që kjo të kalojë sa më shpejt.

“Jo vetëm në vendin tonë, por vështirësi po ka në krejt botën. Unë i uroj shërim sa më të shpejtë Fatih Terimit dhe Abdurrahim Albayrakut dhe gruas së tij. E lus Zotin që të shërohen të gjithë ata që kanë rezultuar pozitivë”, ka thënë fillimisht futbollisti prizrenas.

Muriqi ka shpjeguar më pas se është duke ushtruar në shtëpi, në bazë të këshillave të klubit.

Ai e pranon se është e vështirë të punohet në shtëpi, ndërsa shpreson që sa më shpejtë të kalojë virusi COVID-19 dhe ekipi turk t’ju kthehet stërvitjeve.

Në fund, ai e përmendi rëndësinë e të qëndruarit në shtëpi.

“Ne duhet definitivisht t’i dëgjojmë autoritetet. Individualisht, nuk duhet të dalim nga shtëpia. Ky duhet të jetë një prioritet. Derisa është emergjencë, ne duhet t’i ndjekim rregullat. Duhet t’i kushtojmë rëndësi higjienës. Sistemi ynë imunitar po ashtu duhet të jetë i fuqishëm. Kështu mund të flas për mua dhe për familjen time. Ne mundohemi t’i ndjekim rregullat një pas një. Le të qëndrojmë në shtëpi dhe të mos dalim jashtë, për shëndetin e të gjithë njerëzve”, përfundoi Muriqi.

(Kosova Sot Online)