Gjigantët gjermanë i ndihmojnë ekipet e tjera me 20 mln euro për t’i mbijetuar krizës së koronavirusit

  • 26 March 2020 - 14:51
Gjigantët gjermanë i ndihmojnë ekipet e tjera me 20 mln euro për t’i mbijetuar krizës së koronavirusit

Bayern Munich, Borussia Dortmund, RB Leipzig dhe Bayer Leverkusen do të dhurojnë miliona euro për t’i ndihmuar klubet e tjera gjermane gjatë pezullimit të futbollit.

Katër gjigantët e Bundesligës, të cilët u kualifikuan në Ligën e Kampionëve në sezonin 2019/20, kanë njoftuar se do t’i ndihmojnë me 20 milionë euro ekipet e tjera në dy kategoritë e para të futbollit gjerman, për t’u ndihmuar atyre t’i mbijetojnë pandemisë koronavirus.

Futbolli në Gjermani është pezulluar që nga 13 marsi, për shkak të përhapjes së sëmundjes ngjitëse Covid-19, duke u shkaktuar telashe financiare klubeve më të vogla në Bundesliga dhe Bundesliga 2 për shkak të humbjeve nga moszhvillimi i ndeshjeve dhe nga të ardhurat televizive.

Megjithatë, Bayern Munich, Borussia Dortmund, RB Leipzig dhe Bayer Leverkusen kanë njoftuar se do të bashkohen për ta ndarë pasurinë, në përpjekje për ta parandaluar humbjen e vendeve të punës dhe për t’i ndihmuar klubet të funksionojnë gjatë pezullimit.

Shefi ekzekutiv i Bayern Munich, Karl Heinz Rummenigge, ka thënë: “Së bashku me tre pjesëmarrësit në Ligën e Kampionëve, duam të dërgojmë sinjal solidariteti te të gjitha klubet e Bundesligës dhe Bundesligës 2, përmes kësaj iniciative”.

“Në këto kohëra të vështira, është më rëndësi që krahët e fuqishëm i ndihmojnë krahët e dobët. Me këtë, ne po ashtu duam të tregojmë se futbolli është i bashkuar tani”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online)