Roberto Carlos – Neymarit: A e do Ligën e Kampionëve? Eja në Real Madrid

  • 27 mars 2020 - 09:40
Roberto Carlos – Neymarit: A e do Ligën e Kampionëve? Eja në Real Madrid

Legjenda e Real Madridit, Roberto Carlos, ka zbuluar se ai do të kishte dashur që Neymari të transferohej te klubi madrilen që një kohë të gjatë, përderisa i ka thënë bashkëkombësit të tij që duhet të shkojë në Santiago Bernabeu nëse do ta fitojë Ligën e Kampionëve.

Neymari iu bashkua Paris Saint-Germainit nga Barcelona gjatë afatit kalimtar të verës së vitit 2017, mirëpo që nga atëherë ka qenë vazhdimisht i përfolur për një kthim në Camp Nou dhe për një kalim në Santiago Bernabeu.

Carlos, që njihet si legjendë në Real Madrid dhe ekipin kombëtar të Brazilit, ka thënë se atij do t’i kishte pëlqyer nëse Neymari do të ishte transferuar te Los Blancos qysh shumë kohë më parë.

“Nëse do të varej nga unë, Neymari do të kishte qenë në Santiago Bernabeu që një kohë të gjatë, por jeta nuk është ashtu siç e do ti”, ka thënë Carlos, në një intervistë të dhënë për Fox Sports Radio.

“Këta lojtarët e mëdhenj gjithmonë duhet të luajnë për klubet më të mira në botë. Real Madridi sot është referencë për cilindo lojtar. A dëshiron ta fitosh Ligën e Kampionëve? Eja në Real Madrid”.

Edhe mesfushori i Real Madridit, Casemiro, së fundi e deklaroi dëshirën që Neymari t’i bashkohet atij në Santiago Bernabeu.

“Unë doja që Neymari të vijë në Real Madrid, unë flas me të pothuajse çdo ditë, ai është një lojtar i mrekullueshëm”, kishte thënë Casemiro për Onda Cera. 

(Kosova Sot Online)